Amerikania 15-vjeçare që mahniti Wimbledonin, eliminohet nga gara

Rrugëtimi përrallor i tenistes tinejxhere nga SHBA-ja, Coco Gauffit në Grand Slamin e tenisit në “Wimbledon” ka mbaruar të hënën me humbjen ndaj ish-tenistes numër një në botë, Simona Halep.

Bartësja numër shtatë, Halep 27-vjeçare, triumfoi me 2:0 në sete (6:3, 6:3) ndaj amerikanes 15-vjeçare Gauff, për të kaluar në çerekfinale ku do të përballet me kinezen Zhang Shuai.

Tinejxherja amerikane Coco Gauff kishte bërë senzacion në garë duke mposhtur Venus Williamsin, Magdalena Rybarikovan dhe Polona Hercogun duke arritur  kështu në 1/8 e finales.

Mirëpo, ajo nuk dukej fare në formën e saj më të mirë këtë të hënë dhe ftoi edhe mjekun në fushë, në setin e dytë.

Gauff po tentonte të bëhej çerekfinalistja më e re e Wimbledonit qëkur bashkëkombësja e saj Jennifer Capriati po ashtu në moshën 15-vjeçare arriti në çerekfinale të këtij Grand Slami.

“Unë nuk po ndihesha shumë mirë, por prapë dhashë çdo gjë nga vetja. Unë nuk e di se çfarë ishte, por prapë u argëtova, ndonëse po humbisja. Kam mësuar shumë se si të luaj para tifozërisë së madhe dhe si të luaj nën presion. Jam shumë falënderuese për këtë përvojë”, ka thënë Gauff, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”.

Meçi i Gauffit me Halepin ishte ai që tërhoqi interesimin më të madh të hënën. Arena ishte e stërmbushur.

Mirëpo si duket presioni ishte i tepërt për 15-vjeçaren, që tregoi nervozë të hershme kur humbi gemin në shërbimin e vet të parë.

Gauff më pas u kthye dhe ia mori gemin Halepit dhe dukej se do të kthente setin e parë në favor të vetin. Mirëpo, Halep e fitoi atë. Më pas fitoi edhe meçin.

Po të hënën (dje) është eliminuar edhe bartësja numër një, australiania Ashleigh Barty që u mposht me 2:1 në sete nga Alison Riske. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment