Ambasadori gjerman në Beograd porosi Serbisë: Së pari marrëveshja me Kosovën, pastaj vjen BE-ja

Ambasadori gjerman në Serbi, Thomas Schieb, thotë se dialogu për normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës duhet të rinis sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të arrihet progres, derisa ka shtuar se nuk ka afate përfundimtare për Prishtinën e Beogradin për të arritur një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, transmeton Kabllogrami.

“Ne shpresojmë se dialogu për normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës do të rinis sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të arrihet progres”, ka thënë Schieb për të përditshmen beogradase, “Vecernje Novosti”, duke komentuar një informatë jozyrtare se shefja e BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherini, ka kërkuar që dialogu të përfundojë në fillim të qershorit.

I pyetur nëse Berlini do të shtojë presionin ndaj Prishtinës për të hequr taksën ndaj mallrave serbe, Schieb tha se janë “në kontakt” dhe se vendi i tij “vazhdimisht ka paraqitur qëndrim të qartë, përfshirë atë të ministrit të Jashtëm, i cili ka kundërshtuar këtë masë dhe i ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë të tërheqin këtë vendim”.

Schieb tha po ashtu se qëndrimi i Berlinit është se Beogradi dhe Prishtina janë në dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja, dhe se “formati duhet të mbetet i këtillë”.

Duke konkluduar se “çështja e Kosovës duhet zgjidhur para se Serbia të anëtarësohet në BE dhe se ky është një nga kushtet më të rëndësishme që duhen plotësuar për anëtarësim”, Schieb theksoi se Beogradi dhe Prishtina duhet të arrijnë një marrëveshje për normalizim dhe se “varet nga ta se si do të duket marrëveshja”.

“Ne nuk po kërkojmë që ju të mos bashkëpunoni me Rusinë në mënyrë që të bëheni anëtar të BE-së”, tha ambasadori, kur u pyet nëse Gjermania në ndonjë formë është e shqetësuar me raportin e afërt mes Serbisë e Rusisë, pasi siç tha ai, edhe Gjermania, edhe BE-ja, bashkëpunojnë me Rusinë. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment