ALPBACH-U, ‘MOMENTI HISTORIK’ I IDESË SË KEQE PËR NDRYSHIM TË KUFIJVE TË KOSOVËS

Nga Muhamet Hamiti
Nga Muhamet Hamiti

Ditën e sotme, para një viti, më 25 gusht 2018, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, folën bashkë në një forum në Alpbach të Austrisë, për idenë e tyre për zgjidhje përfundimtare për Kosovën që do të përshinte ndryshim kufijsh ndërmjet të dyja vendeve. Fraza që përdori Thaçi atë ditë ishte ‘korrigjim kufijsh’. Mbasi shtroi pyetjen tri-katër herë në panel se ku janë kufijtë ndërmjet Kosovës e Serbisë, ndërsa askush – as Thaçi madje – nuk i tha se kufijtë ekzistojnë, Vuçiqi la të kuptohej se duhej rënë në ujdi për kufij ndërmjet serbëve e shqiptarëve (në serbisht ai e ka quajtur këtë herave të tjera, ‘razgraničenje’) për zgjidhje të konfliktit “dyqinddvjeçar” ndërmjet serbëve e shqiptarëve, dy popujve më të mëdhenj të Ballkanit Perëndimor, siç shprehej ai.

Të pranishëm në panel në Forumin e Alpbach-ut ishin Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, austriaku Johannes Hahn, Komisioner i BE-së për Zgjerim, dhe Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor.

Alexander Van der Bellen dhe Johannes Hahn e quajtën këtë zhvillim (paraqitjen goxha të orkestruar të Thaçit e Vuçiqit dhe idenë për ndryshim kufijsh) një ‘moment historik”. Presidenti austriak der Bellen madje luste të pranishmit në forumin e Alpbachut që të mos insistonin për detaje të marrëveshjes së pritshme Thaçi-Vuçiq, për të mos e rrezikuar momentumin për zgjidhje përfundimtare për Kosovën. Kjo zgjidhje duhej të ndodhte më së voni në marsin e vitit 2019, shprehej der Bellen.

Janë për t’u mbajtur mend lavdet e Vuçiqit në Alpbach se Thaçi ishte ‘politikan më i mirë se ai (vetë)’, si edhe deklaratën e Thaçit se ‘ne [Thaçi e Vuçiqi] nuk jemi djem problematikë” (We are not problematic guys, në anglisht).

Të nesërmen, më 26 gusht, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Vuçiqin, Hahn-in dhe presidentin austriak der Bellen, mbas një takimi me Kancelarin austriak Sebastian Kurtz, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se ai dhe Vuçiqi ishin të ndërgjegjshëm për nevojën për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor, për të shtuar: “ Për këtë arsye, dua t’u them vendeve fqinje, anëtarëve të BE-së, si dhe vendeve të tjera të botës se nuk duhet të kenë drojë nga një marrëveshje potenciale për paqe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, qoftë edhe nëse kjo marrëveshje përfshin korrigjimin e kufijve. Nëse kjo ndodh, Kosova dhe Serbia nuk do të jenë vendet e para as të fundit që ndërrojnë kufijtë pët t’i dhënë fund konfliktit shekullor”.

Në ndërkohë, gjatë një konference për shtyp në Kiev, Këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, kishte deklaruar dy ditë më herët, më 24 gusht 2018, se SHBA-të nuk do të përjashtonin apo kundërshtonin një zgjidhje me këmbime territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nëse të dyja vendet binin dakord për këtë. Këto deklarata vinin një javë mbasi që gazeta prestigjioze “The Financial Times” shkruante se Kosova dhe Serbia po i afroheshin një zgjidhjeje me ndarje të Kosovës.

John Bolton, ish-ambasador amerikan në OKB, mbahet mend si njeriu që në vigjilie të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe të njohjes së pritshme nga Administrata e Presidentit Bush, në një tekst të tij (botuar si op-ed, bashkë me Lawrence Eagleburger-in dhe Peter W. Rodman-in) kishte shkruar edhe këtë: “Njohja e pavarësisë së Kosovës pa pëlqimin e Serbisë do të vendoste një precedent me pasoja largvajtëse dhe të paparashikueshme për shumë rajone të tjera të botës”.

Administrata aktuale e SHBA-ve, përmes Ambasadorit amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, do të deklarohej në fund të vitit 2018 se ato nuk ishin angazhuar për këtë (ndryshim kufijsh/këmbim territoresh) si pjesë të zgjidhjes përfundimtare për Kosovën.

Kështu është ravijëzuar një ndarje në politikën amerikane ndërmjet Këshilltarit për Siguri Kombëtare (John Boltonit) dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, të udhëhequr nga Sekretari Pompeo, i cili para ndonjë dite, më 20 gusht 2019, mbas takimit me Presidentin e Serbisë Vuçiq, ka përmendur në kumtesë nevojën për zgjidhje me njohje të ndërjesellë të të dyja vendeve, pa përmendur çështjen e kufijve.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pritet të rifillojë mbas formimit të Qeverisë së re të Kosovës që do të dalë nga zgjedhjet e vjeshtës.

Të gjithë protagonistët kryesorë politikë në Kosovë, pos Hashim Thaçit, janë deklaruar kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës si pjesë e zgjidhjes përfundimtare me Serbinë.

/Muhamet Hamiti është profesor në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë këshilltar për medie i Presidentit të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, këshilltar politik i Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ambasador i parë i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar/

©Kabllogrami

Comments (0)
Add Comment