Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në seancën e parë të Kuvendit për sesionin pranveor, ka adresuar akuza ndaj presidentit Hashim Thaçi, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi si dhe ndaj Qeverisë Haradinaj.
Ai foli për grevat e punëtorëve të arsimit dhe korrupsionion në vend.
Duke përmendur deklaratën e presidentit Thaçi i cili ka thënë se është i gatshëm për çfarëdo kompromisi për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, Kurti tha se aktualisht nuk po flasim për dialog por për pazare mes Kosovës dhe Serbisë.
“Në vitin e kaluar presidenti paralajmëroi kompromis të dhimbshëm. Thaçi ose bën blof me idenë e pajtimit final me Serbinë ose tash ka marrëveshje të fshehtë me Serbinë. Ajo çfarë kemi sot nuk është dialog por pazar”, tha ai.
Albini tha se partia e tij është kundër heqjes së taksës ndaj Serbisë, duke shtuar se në rast se presidenti Thaçi nuk largohet nga ideja e prekjes së kufijve, atëherë do të ketë protesta më masive se ajo e 29 shtatorit të vitit të kaluar.
“Ne kërkojmë largimin e qeverisë Haradinaj dhe mbetjen e tarifës. Nuk ka kuptim dialogu përderisa kemi çdo ditë ftesa nga Gjykata Speciale. Protesta e 29 shtatorit ishte madhështore, por ajo do të jetë e vogël krahasuar me protestat tjera nëse nuk ndalet ky president” , u shpreh Kurti. /©Kabllogrami/