Albini ironizon me Dardanin e Shpendin: Përfunduan në prehërin e PDK’së

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, ka ironizuar dhe akuzuar ish-anëtarët të VV-së, tash deputetë të PSD-së, bën të ditur Kabllogrami.

Duke iu referuar mesazheve të publikuara të shtunën mes Dardan Molliqajt, Pal Lekajt dhe Bilall Sherifit, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, Albini ka thënë se “kjo dëshmon se deputetët e PSD-së janë borxhli të Hashim Thaçit e Kadri Veselit”.

“Për Lëvizjen, fillimi i këtij viti ka qenë i pazakontë sepse nuk e kuptonim pse një grup u përpoq ta dëmtojë Lëvizjen, tentativën hileqare të tyre arritëm ta kuptojmë dje kur i pamë mesazhet. Trishtohemi që parashikimet tona po dalin të sakta, kush po del prej Lëvizjes po përfundon në prehër të PDK-së”, është shprehur Albini, raporton KTV.

Tutje, lideri i VV-së ka thënë se është fatkeqësi që dialogu me Serbinë të përcaktohet nga presidenti Thaçi. Sipas tij, përpjekjet e Thaçit që marrëveshja me shtetin serb të arrihet më së largu deri në pranverë, lidhen edhe me Gjykatën Speciale.

“Paralajmërojnë deri në pranverë sepse aq i zgjat Thaçit deri në thirrjen e Gjykatës Speciale”, tha Kurti, i cili ka theksuar se zgjedhjet e reja do t’i jepnin fund fatkeqësive në Kosovë. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment