Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se ideja për shkëmbim territoresh është projekt që vjen nga Serbia dhe Rusia.
Kurti, përmes një statusi nё faqen e tij zyrtare nё rrjetin social Facebook, ka cituar një letër të ish kryenogociatores Edita Tahirit, dërguar Përfaqësueses të lartë të BE-së, Federica Mogherinit, ku theksohet se ideja për ndryshim të kufijve në rajonin e Ballkanit është skenarë i ndikuar nga Rusia.
Nё vijim mund ta lexoni tё plotë postimin e Albinit me titull ‘North by North-East’:
“North by North-East
Znj. Tahiri e patëm kundërshtuar e kritikuar me të drejtë përgjatë dialogut 2011-2017 me Serbinë. Mund të jetë vetëm më keq sesa që e thotë ajo në këtë letër që sot i mbushi një vit e gjysmë. Aventura personale e presidentit të Kosovës gjithsesi nuk është edhe projekt personal. Ky projekt vjen nga Serbia e Rusia, pra nga veri-lindja, në kontrast me aleancën e veri-perëndimit, NATO-n.
Në letrën e saj dërguar znj. Mogherini e që mban datën 6 korrik 2017, ish ministrja pa portofol dhe ish kryenegociatorja e Kosovës, znj. Edita Tahiri, ndër të tjera shkruan edhe këtë: ‘Serbia gjithashtu u përpoq të luante disa skenarë të natyrës gjeopolitike duke promovuar idetë e ndryshimit të kufijve në rajon dhe këmbimin e territoreve, të cilat dukej se ishin ndikuar nga Rusia dhe ambiciet e saj për të rikthyer ndikimin e saj, të humbur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Këto janë skenarë mjaft të rrezikshëm, të cilët kundërshtohen nga Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke qenë se pozicioni ynë i përbashkët strategjik është rreshtimi me botën Perëndimore dhe me komunitetin Euro-Atlantik’”, ka shkruar Kurti duke e cituar ish kryenegociatoren Edita Tahiri nё dialogun me Serbinё, nё letrёn qё kjo e fundit ia kishte dёrguar znj. Mogherini mё 06 Korrik 2017 dhe aventurёn personale tё presidentit Thaçi duke çuar para idetё ruso-serbe pёr ndryshim kufijsh tё Kosovёs, qё vjen nё kurndёrshti tё plotё me atё qё kryenegociatorja Tahiri i shkruante Mogherinit njё vit e gjysmё mё parё. /©Kabllogrami/