Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka përkujtuar 95 vjetorin e rënies së heroit kombëtar Azem Bejta, një luftëtar i paepur kundër forcave të okupatorit serb të asaj kohe në krye me Nikolla Pashiqin.
Në vijim mund ta lexoni postimin e zotit Kurti:
“Me rastin e 95 vjetorit të rënies së Azem Bejtës, sot një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! vizituam shpellën ku atëbotë ia fshehën trupin bashkëluftëtarët dhe ku për gjysmë shekulli preheshin eshtrat e tij.
Në fshatin Përçevë të Klinës ishim bashkë me aktivistët tanë të Qendrës sonë atje.
Më pas vazhduam për në Galicë të Vushtrrisë ku ndodhet varri i prijësit të çetave guerile shqiptare i cili për 12 vjet rresht luftoi e rezistoi kundër forcave serbe të Nikola Pashiqit.
Aty bëmë homazhe e vendosëm lule të freskëta bashkë me aktivistë të Qendrave Vushtrri e Skënderaj.
Azem Bejtë Galica ishte luftëtar i madh i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës.
Drenica, Kosova dhe i gjithë populli shqiptar e kujtojnë me krenari gjersa në historinë tonë ai ndrit me kryengritjen e tij”, ka shkruar Kurti në fund të postimit të tij. /©Kabllogrami/