Ahmeti: S’ka marrëveshje pa kompromise, e s’ka kompromise që i kënaq palët

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka thënë se në Kosovë opinioni duhet të dijë që çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet mes dy shteteve, përfshihen kompromise që s’do të kënaqin të gjithë.

Në një intervistë për KTV-në, Ahmeti ka folur lidhur me procesin e arritjes së marrëveshjes historike Maqedoni – Greqi, që shpiu në ndryshimet kushtetuese duke çuar në ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut. E ka quajtur proces të komplikuar dhe me kompromise jo të lehta. Ka thënë se në këtë proces ka pasur shumë emocione, por ka shtuar se marrëveshja mes dy shteteve do të sjellë dobi, edhe jashtë dy vendeve. Ahmeti ka thënë se tash janë hapur rrugët për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian për Maqedoninë.

Duke folur për rolin e shqiptarëve në këtë marrëveshje, Ahmeti ka thënë se shqiptarët janë shtet-formues të Maqedonisë dhe se përfshirja e Marrëveshjes së Ohrit në Preambulë, sipas tij, e dëshmon këtë.

Ahmeti më tej ka thënë se tani është koha që shqiptarët të punojnë seriozisht në forcim të pozitave të tyre në Maqedoni. Ka përsëritur qëndrimin se shqiptarët s’kanë nevojë për më shumë se dy parti politike në Maqedoni.

Duke folur për dialogun Kosovë – Serbi dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes dy vendeve, Ahmeti ka thënë se çdo marrëveshje ka kompromise. Edhe kjo marrëveshje, sipas Ahmetit, do të kontribuojë në stabilitet të rajonit.

Sipas Ahmetit, sikur Marrëveshja e Prespës, edhe ajo Kosovë – Serbi do të sillte të mira për rajonin, jo vetëm në aspektin e paqes, por edhe të zhvillimit ekonomik.

“Mendoj që ku ka kompromis ka edhe pakënaqësi. Kur u arrit kompromisi i Marrëveshjes së Ohrit pati pakënaqësi, por pas një dekade reflektuan të gjitha palët dhe e shohin si moment të rëndësishëm dhe dobishëm për vendin. Pas marrëveshjes, kompromiset janë të pashmangshme në këto situata. S’ka kompromis që do i kënaqë palët. Por vlerësimi i vërtetë do të shihet me kalimin e viteve. Do të shihen vlerat e vërteta të një marrëveshje të arritur”, ka shprehur ai mendimin e tij.

Ahmeti ka zënë në gojë edhe Gjykatën Speciale, që tash nisi punën me intervistimin e parë të ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Mustafa. Ai tha për KTV-në se“nuk kam pa asnjë dokument të lëshuar që UÇK-ja ka dhënë urdhër, direktivë për të bërë akt të turpshëm, apo në kundërshtim me konventat ndërkombëtare”. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment