Në web faqen e gazetës “Kosova Sot” është publikuar fotografia e viktimës – vajzës së dhunuar nga Drenasi, gjë që ka ngjallur reagime të shumta për shkelje të etikës, të drejtave të njeriut dhe ligjit për mbrojtjen e të dhënave kur zbulohen identitetet e viktimave.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka përcjellë me vëmendje raportimet e gazetarëve rreth rastit të dhunimit të dyfishtë të së miturës ne Drenas. AGK shpreh shqetësim për publikimin e fotografisë së viktimës në web-in e gazetës “Kosova Sot”.
Kjo formë e raportimit është shkelje e të drejtave të njeriut, Kodit Etik dhe ligjit për mbrojtjen e të dhënave që zbulojnë identitetin e viktimës.
AGK kërkon nga kolegët gazetarë që, sidomos në raste të ndjeshme si kjo por edhe gjatë raportimit për raste të tjera, t’u përmbahen kritereve profesionale dhe etikës së gazetarisë.
AGK mbështet vetëm punën profesionale të gazetarëve bazuar në respektimin e standardeve bazë të profesionit dhe inkurajon për informim korrekt dhe të drejtë të publikut. /©Kabllogrami/