Adem Demaçi nё pullё postale

Posta e Kosovёs ka emetuar pullёn postare tё quajtuar “I patunduri – Adem Demaçi” me rastin e festës së 28 nëntorit, Ditёs sё Flamurit Kombëtar, transmeton Kabllogrami

Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha me bashkëpunëtorë të tij, priti anëtarë të familjes Demaçi, si dhe disa prej bashkëveprimtarëve të tij, tё cilëve u dhuroi pullën e parë postare të punuar në bronz.

Kryeshefi Hoxha deklaroi se Adem Demaçi ishte një personalitet që me një vetëmohim të jashtëzakonshëm u angazhua tërë jetën për çlirimin e Kosovës nga regjimi serb dhe jugosllav. Ai i flijoi 28 vjet në burgje por asnjëherë nuk u mposht as nuk hoqi dorë nga ideali i tij jetësor për liri dhe bashkim të popullit shqiptar.

“Adem Demaçi u rreshtua përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke u bërë edhe Përfaqësues Politik i saj, detyrë që do ta kryej me një guxim të pashoq në zyrën e hapur në Prishtinë. Emri i heroit kombëtar, Adem Demaçi, nga sot e mot do të përjetësohet edhe në pullë postare. Imazhi i tij i ndritur do të udhëtojë në tërë botën përmes dërgesave tona postare dhe do t’i lartësoi vlerat që i krijoi kombi ynë ndër shekuj në shërbim të atdheut dhe vlerave paqësore të njerëzimit” u shpreh kryeshefi Hoxha.

Të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse iu drejtua edhe bashkëshortja e Bacës Adem, Xhemajlije Demaçi. /©kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment