Qeveria “Haradinaj” mund të bjerë në vjeshtën e sivjetme dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Analistët politikë janë të ndarë rreth idesë se a është partneri i madh i koalicionit qeverisës (PDK) ai që dëshiron ta rrëzojë liderin e AAK-së nga drejtimi i ekzekutivit.
Një grup i tyre mendon se PDK aktualisht qëndron dobët në anketa dhe është me rrezik për ta që të dalin me rezultat të dobët nga zgjedhjet nëse do të mbaheshin në vjeshtë. Por grupi tjetër mendon që nëse PDK arrin një marrëveshje të mirë koalicioni parazgjedhor me ndonjë parti parlamentare që qëndron mirë në sondazhe, atëherë zgjedhjet e vjeshtës do të ishin ideale për ta, për t’i ikur kështu rrezikut që do të dobësohen akoma me kalimin e kohës.
Fillimi i vjeshtës së këtij viti mund të jetë fundi i qeverisë “Haradinaj”. Mocioni i mosbesimit, të cilin janë duke e përgatitur partitë opozitare, vlerësohet se do t’i japë fund Qeverisë aktuale. Deri tani partitë opozitare kanë mbledhur 58 nënshkrime të deputetëve që do të votojnë pro mocionit dhe janë në kërkim të tri nënshkrimeve tjera nga partitë e vogla të koalicionit qeverisës, transmeton Zëri.
Madje nga opozita thonë se mocioni i mosbesimit mund të ngrihet në fillim të shtatorit të këtij viti. Njohës të çështjeve politike në vend theksojnë se votat e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) mund të jenë ato që do ta rrëzojnë Qeverinë aktuale, përcjell Zëri. Mirëpo nga Partia Demokratike thonë se nuk do të ketë zgjedhje, ndonëse shprehen tejet të gatshëm për to. Ndër faktorët që do ta përcaktojnë jetëgjatësinë e Qeverisë aktuale vlerësohet të jetë edhe çështja e dialogut Kosovë – Serbi. /©Kabllogrami/