Ish-nënpresidenti amerikan Joe Biden tha të hënën në mbrëmje se vendimi për të kandiduar për president në vitin 2020, do të varet nga fakti nëse ai apo familja e tij do tё jenë tё gatshёm, megjithëse e vuri theksin tek përgatitja e tij, raporton voa, transmeton Kabllogrami
Mendoj se jam personi më i kualifikuar në vend për të qenë president, tha zoti Biden para një audience në Missoula të Montanës.
“Çështjet me të cilat përballemi si vend sot, janë çështje për të cilat unë jam marrë gjithë jetën, përpjekjet e klasës së mesme, politika e jashtme. Por unë dhe familja ime duhet të vendosim së bashku nëse jemi gati. Ne çdo gjë e bëjmë si familje”.
Zoti Biden, nënpresident për dy mandatet e ish-presidentit demokrat, Barack Obama, tha se do të merrte një vendim për fushatën e vitit 2020 brenda gjashtë javësh ose dy muajsh.
“Kam një mbesë dhe një nip të cilëve u ka vdekur i ati, që më duan dhe duan që të jem pranë tyre. Unë dua të jem i pranishëm të kujdesem për ta, prandaj duhet të shikojmë nëse mund ta realizojmë këtë si familje”, tha ai, duke iu referuar fëmijëve të djalit të tij Beau Biden, që vdiq në vitin 2015 nga kanceri në tru.
Zoti Biden ka thënë se për shkak të vdekjes së djalit, nuk kandidoi për president në vitin 2016. Ndёrkohё, shumё sondazhe dhe analistё e nxjerrin atё si kandidatin kryesor tё demokratёve pёr President tё ardhshёm tё SHBA-sё. /VoA//©Kabllogrami/