Në rastin e abuzim seksual me të mitur, që për publikun njihet si rasti i vajzës nga Drenasi, si duket, sipas pretendimeve të hetuesisë, hetimet janë zgjeruar pasi që janë paraqitur zbulime e zhvillime të reja që kanë të bëjnë me zgjerimin e listës së të dyshuarve për abuzimin seksual ndaj të miturës.
Konkretisht dyshimet janë ngritur edhe ndaj avokatit denoncues të rastit, Gazmend Halilaj, dhe sipas burimeve në heutesi, ishte ekspertiza e telefonit të të miturës, ajo që e përfshiu në hetime edhe avokatin Halilaj.
Sipas hetuesisë, qindra “screenshots” që viktimës i janë ruajtur në telefon, e që janë gjetur pas identifikimit nga hetuesia, e inkriminojnë edhe avokatin denoncues, Gazmend Halilaj si të dyshuar që mund të ketë përfituar nga rasti i vajzës nga Drenasi, për abuzim seksual ndaj saj. Provat e hetuesisë ngrenë dyshimin se avokati denoncues e ka riviktimizuar vajzën nga Drenasi.
Në anën tjetër, avokati denoncues, Gazmend Halilaj, i cili e nxori fillimisht në media skandalin në Drenas, i ka hudhur poshtë të gjitha këto pretendime, duke thënë se po i hakmerren për shkak të denoncimeve që po u bënë zyrtarëve lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare që po e bëjnë ata – për rastet të cilat ka njohuri avokati Halilaj.
Ai ka thënë në një prononcim për gazetën koha ditore, se viktimën nuk e njihte dhe se e ka takuar përmes një ndërmjetësuesi. “Menjëherë si e kam marrë vesh, e kam paraqitur në prokurori”, ka thënë Halilaj. Rasti i dyshimit për abuzim me të miturën nga polici hetues është ngritur në Prokurori, më 5 shkurt 2019.
Ai është pyetur nga gazeta nëse ndonjëherë raporti i tij me viktimën e ka tejkaluar raportin profesional. “Asnjëherë. Në asnjë formë. Kurrë”, ka thënë ai.
Në ndërkohë, e mitura nga Drenasi e cila dyshohet se është keqpërdorur seksualisht nga hetuesi policor dhe profesori, ka mohuar të ketë patur marrëdhënie seksuale apo keqtrajtim nga avokati Gazmend Halilaj. Në një deklaratë për Insajderin, ajo ka thënë që të gjitha këto pretendime janë të pavërteta.
“Unë e kam një vëlla. Gazmend Halilajn e kam si vëlla të dytë. Telefonin tim e ka përdorur për komunikime me të (avokatin), polici Vesel Veseli. Sot jam ftuar në prokurori për të dhënë një deklaratë tjetër dhe garantoj se asnjë lloj kontakti apo marrëdhënie nuk kam pasur me të”, ka thënë e mitura nga Drenasi, në një prononcim për Insajderin. Ajo ka thënë për Insajderin se dikush po përpiqet të manipulojë me këtë rast.
Mbetet të shihet në ditët në vijim se si do të shkojnë hetimet lidhur me rastin në fjalë, derisa ditën e djeshme, avokati është intervistuar nga organet e hetuesisë, dhe më pas është lënë i lirë. /©Kabllogrami/