A do të dështojë Samiti i Parisit akoma pa u mbajtur!?

Janë zbehur pritjet për një epilog pozitiv rreth dialogut nga Samiti i Parisit, i planifikuar të mbahet në fillim të korrikut.

Zyrtarët serbë kanë thënë se është shumë e mundur që takimi të mos mbahet fare, nëse Qeveria e Kosovës nuk e heq taksën prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Në anën tjetër, sipas Qeverisë së drejtuar nga Haradinaj, pa një kornizë të marrëveshjes nuk ka logjikë dialogu Kosovë – Serbi. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se një marrëveshje kornizë për atë se për çka mund të merren vesh Kosova e Serbia është e domosdoshme për të ecur përpara procesi i dialogut.

Nën organizimin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel, më 1 dhe 2 korrik, janë ftuar në Paris udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë.

Sipas njohësve të proceseve euro-integruese, është për t’u vlerësuar gatishmëria e Francës dhe Gjermanisë për të intensifikuar dhe koordinuar përpjekjet për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por janë skeptik rreth pritjeve të ndonjë rezultat konkret.

Pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, Haradinaj ka folur edhe për Samitin e Parisit, me ç’rast ka thënë se mund edhe të mos mbahet, por ka shtuar se jo për shkak të Kosovës.

Ai ka thënë se Kosova e Serbia kanë marrëveshje për menaxhim të integruar të kufijve dhe nuk mund të kuptojë përse akoma flitet për çështjen e kufijve.

“Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për IBM, prej vitit 2013. IBM është menaxhim i integruar i kufijve. Kur po pyet dikush për cilët kufij e kemi fjalën? E kemi për këta të IBM-së. Kemi marrëveshje. Ka investuar edhe BE-ja. Ka edhe ndërtesa nëpër kufij. Kosova e Serbia kanë marrëdhënie të avancuara në menaxhimin e integruar të kufijve. Kanë marrëveshje ndërkombëtare. E pra s’mundet Kosova të kthehet prapa e të ridiskutojë IBM-në. Është marrëveshje që duhet zbatuar tashmë”, ka thënë Haradinaj.

Për këtë ai ka shtuar se duhet një marrëveshje kornizë se për çka do të diskutohet në dialog. Sipas tij, ajo do të ishte garancë a do të ketë dialog apo jo.

“S’ka nevojë për dialog për turizëm, por për një marrëveshje kornizë për çka do të flasim. S’di pse dikush duhet të më flasë për kufijtë të Kosovës, kur kemi IBM të nënshkruar. Pse të flasim, pse kemi bërë marrëveshje atëherë”, ka deklaruar më tej ai. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment