Tash e më shumë se një muaj, Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka arritur t’i çertifikojë rezultatet, derisa vendimi për rinumërimin e edhe 1428 vendvotimeve, sikur e ka shtyrë “qëllimisht” apo “rastësisht” edhe për të paktën një muaj ҫertifikimin e rezultateve nga zgjedhjet e 6 tetorit, shkruan gazeta online Kabllogrami.
Zgjedhjet e 6 tetorit përfunduan me sukses – u cilësuan edhe si jashtëzakonisht demokratike, fer e të lira, por kontestet për këto zgjedhje nuk po përfundojnë. A ka vend për dyshime se po luhen lojëra politike që po zhagisin ҫertifikimin e këtyre zgjedhjeve?
Tash, kur po rinumërohen edhe 1428 vendvotime – ato pritet të zgjasin së paku 1 muaj deri në përfundim, e pos kësaj Gjykata Supreme e PZAP-i po shqyrtojnë ende ankesat nga subjekte politike e kandidatë.
Por, deri kur mund të vonohet formimi i institucioneve të reja të vendit dhe sa po e dëmton kjo gjendje Kosovën?
Lajmi.net ka kontaktuar me ish-kryeshefin e KQZ-së dhe njohësin e Kushtetutës të Kosovës, Mazllum Baraliu i cili tha se me këtë trend të zvarritjes Kosova mund të hyjë në vitin 2020 pa institucione të reja.
“Nëse vazhdon ky trend i zvarritjes me këto vendime që po ndodhin nga institucionet kompetente, KQZ, PZAP, Gjykata Supreme, mund të ndodhë të kalohet muaji dhjetor që është problem edhe miratimi i Ligjit për Buxhetin, e që data e fundit ku do të duhej të miratohej është 31 dhjetori i këtij viti dhe mund të kemi zvarritje në formimin e institucioneve”, tha Baraliu për lajmi.net.
Baraliu për lajmi.net ka shpjeguar edhe procedurat ligjore dhe institucionale që duhet të vijohen deri në konstitutimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
“Menjëherë pas certifikimit të rezultateve KQZ është e obliguar me Kushtetutë t’ia përcjellë presidentit me shkrim dhe zyrtarisht rezultatet e ҫertifikuara të kandidatëve për deputetë dhe të partive politike. Brenda afatit prej 30 ditësh prej kur ato ekspozohen, përcjellen drejt presidencës. Presidenti është i obliguar me Kushtetutë të thërrasë seancën konstitutive të Kuvendit nëse ai nuk e thërret kanë të drejtë partitë politike ose ajo që quhet kryesi e Kuvendit e tanishme e thërret mbledhjen, bëhet verifikimi i kandidatëve, konstituohet Kuvendi, zgjidhet kryetari i Kuvendit, nënkryetarët, kryesia dhe pastaj hapet rruga që të zgjidhet në atë seancë ose tjetër, pasi duhet të bëhet mandatimi i kandidatit për kryeministër që i dërgohet presidentit të pranojë kandidaturën dhe pastaj në afat prej 15 ditësh është i obliguar mandatari të formojë qeverinë, nëse nuk arrinë atëherë presidenti mund t’ia dorëzoj atij ose dikujt tjetër – pra nëse i pari nuk arrin, mund t’ia dorëzoj të dytit dhe nëse kjo nuk arrihet, brenda 60 ditësh Kuvendi shpërbëhet dhe vendi shkon në zgjedhje.”, tha Baraliu
Duke llogaritur kohën që marrin procedurat ligjore nëpër të cilat duhet të kalohet deri tek formimi i institucioneve, vendi rrezikon që të hyjë në vitin e ri pa institucione të reja dhe pa buxhet të miratuar.
Kjo nuk do t’i konvenonte aspak Kosovës – ndërsa dy partitë e para në zgjedhje, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë gjetur formulën e bashkëpunimit adekuat, derisa formulën e bashkëpunimit ua ka rënduar vendimi kontraverz i PZAP që në momentet e fundit ua ka marrë 4 deputetë këtyre dy partive fituese, që tani ua pamundëson shumicën parlamentare dhe njëherit ua pamundëson edhe krijimin e qeverisë, duke I detyruar të hyjnë në pazare joparimore me parti të korruptuara. /©Kabllogrami/