Al Jazeera e Ballkanit ka raportuar sot se kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i është refuzuar viza amerikane për shkak të taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. Një burim i Departamentit amerikan të Shtetit i ka thënë Al Jazeera Balkans se ky sanksion vjen pasi që Haradinaj po refuzon të heqë taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës.
I njejti burim thotë me kërcënime jo parimore, se sanksione mund të ketë edhe tutje, nëse nuk hiqet kjo taksë deri më 21 janar, ultimatum i dhënë për Qeverinë e Kosovës.
Al Jazeera Balkans shkruan se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk mori një vizë amerikane, kështu që ai nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në punën e një konference mbi Ballkanin në fillim të shkurtit.
Ndërsa, gazetari i Al Jazeera Ballkans, Ivica Puljić, raportoi nga Uashingtoni, se Haradinaj më parë kishte marrë një ftesë për të marrë pjesë në konferencën, e cila pritet të mbahet më 6 shkurt.
Ndërsa, burimi nga Departamenti i Shtetit konfirmoi për rrjetin televiziv se Haradinaj nuk kishte marrë një vizë hyrjeje për shkak të taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjes dhe Herzegovinës.
Derisa raportohet se viza i është refuzuar shefit të ekzekutivit, në kabinetin e tij thotë se deri më tani s’ka asgjë zyrtare rreth kësaj çështjeje. Edhe vitin e kaluar, Haradinajt i ishte vonuar njëjtë përgjigja nga Amerika rreth aplikimit të tij për vizë.
Ndërkaq, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, ka treguar se për çfarë e kishte ndërmend Haradinaj të udhëtonte për në SHBA.
“E vetmja arsye pse kryeministri do të udhëtonte për në SHBA janë Lutjet e Mëngjesit, e jo ndonjë konferencë”, ka thënë ajo për mediat.
Sot, si duket nën këtë presion kryeministri i Kosovës nisi t’i haj fjalët e veta, kur njoftoi se Qeveria e Kosovës është e gatshme të pezullojë përkohësisht taksat mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina me garancitë ndërkombëtare për nënshkrimin e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, që do të rezultojë në njohjen e Kosovës.
Për fund, një koment i shkurtë nga redaksia e Kabllogramit rreth raportimit të sotëm të ‘Al Jazeera Ballkans’: “Për shkak të taksës, SHBA ia refuzon vizën Haradinajt”
Ramush Haradinaj ka bërë shumë gabime në qeverisje. Jo shumë, por tepër shumë. A e meriton të udhëheqë me qeverinë e Kosovës? Pas ketyre dy vitete në krye, me plot gojën mund të themi: njëqind herë JO. Megjithatë, nëse është e vërtetë kjo që ka raportuar ‘Al Jazeera Ballkan’, duke u thirrur në një burim të saj në Departamentin Amerikan të Shtetit, të kufizosh për vizë një lider që përpiqet ta mbrojë shtetin e vet, për më tepër, për arsye mëse parimore e të drejta, vendim i cili si rallë herë më parë, ka marrë mbështetje dhe simpati të gjerë popullore për taksën ndaj Serbisë, atëherë shtrohet pyetja në çka është shndërruar SHBA-ja!? Assesi s’po duam dhe s’po mund të besojmë se mund të jenë të verteta pohimet e ‘Al Jazeera Balkans’, të cilat nuk do t’i bënin nderë askujt, përveç politikave gjenocidiale të Millosheviqit me pasardhësit e tij ultra-fashist që gjenden sot në pushtet të Serbisë.
Njejtë kishte ndodhur edhe me refuzimin e vizës që ia bënë liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, vite më parë, i cili kurrë nuk kishte cenuar me asnjë veprim të vetëm as edhe pjesëtarët e komuniteteve etnike pakicë që jetojnë në Kosovë, që shihen si pikë e ndjeshme nga të huajt në kosovë, nuk kishte kryer asnjë krim tjetër, por kishte ngritur zërin si subjekt opozitar kundër parregullsive, krimit të organizuar dhe korrupsionit që kishin etabluar strukturat qeverisëse në Kosovë me Hashim Thaçin në krye, që tashmë njihet si ‘kapje e shtetit’, pasojat e së cilës politikë edhe sot më shumë se kurrë po i vuan Kosova dhe populli i saj e që po çojnë në ‘mbytje të shtetit’.
A i bie kjo që SHBA-ja ka për aleat këto struktura kriminale të cilat për dekada po i mban në pushtet, të cilat po e shkatërrojnë shtetin e Kosovës. Një gjë është e sigurt, këto sjellje nuk i bëjnë nder SHBA-së, përkundrazi. Në anën tjetër, po të bënte diç të tillë Koreja Veriore nuk do të ishte për t’u habitur. Tek e fundit, a ishin SHBA-të që nxitnin gjithandej lirinë e fjalës, lirinë e të shprehurit, lirinë e debatit dhe respektimin e mendimit ndryshe!? /©Kabllogrami/