75 vjet nga Rezoluta për Vetëvendosje e Konferencës së Bujanit

Konferenca e Bujanit ka nisur punimet më 31 dhjetor 1943 dhe ka përfunduar më 2 janar 1944, në të cilën është nënshkruar një rezolutë, ku Kosovës i njihej e drejta e vetëvendosjes dhe realizimi i dëshirës së popullit shqiptar të Kosovës për bashkim me Shqipërinë.

75-vjet më parë, prej 31 dhjetor 1943 e deri me 2 janar 1944, në fshatin Bujan të Malësisë së Tropojës, është mbajtur Konferenca e Bujanit,  në përpjekje për ta afirmuar të drejtën e kombeve për vetëvendosje pas luftës kundër forcave fashiste italiane e gjermane. Po ashtu kjo konferencë mund të interpretohet edhe si rezultat i mospërfshirjes së Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën sundimin e ish Mbretërisë SKS-së në  vendimet e Mbledhjes së II të AVNOJ –it, që ishte mbajtur  në Jajce, më 29-30 nëntor të 1943 ku Kosova nuk ishte përfshirë si entitet i veçantë etnik territorial, por ishte trajtuar si pjesë e Malit të Zi.

Konferenca u mbajt në kullën e Sali Manit, Bajraktarit të Krasniqes, ku ndodhej edhe  Shtabi i UNÇ-së të Kosovës të Komitetit Krahinor për Kosovë dhe  Rrafsh të  Dukagjinit. Në Konferencë morën pjesë 49 delegatë që përfaqësonin të gjitha viset dhe shtresat shoqërore të Kosovës. Midis pjesëmarrësve kishte komunistë, nacionalistë dhe atdhetarët të tjerë demokratë, përfaqësues të Forcave të Armatosura, të rinisë e të gruas antifashiste.  Konferenca shqyrtoi tri ditë radhazi problemet që dilnin nga lufta kundër pushtuesit. Ajo zgjodhi kryesinë prej 9 vetash: Mehmet Hoxha (kryetar) ish-prefekt i Elbasanit, Rifat Berisha (nënkryetar) ish-Prefekt i Gjilanit, Pavle Joviçeviq, nënkryetar, Tefik Çanga, sekretar, ndërsa anëtarë u zgjodhën: Xheladin Hana Fadil Hoxha, Hajdar Dushi, Zekeria Rexha, Milan Zeçari dhe Ali Shukriu.

Rezoluta e Konferencës së Bujanit

Në rezolutën e kësaj konference thuhej: Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron të bashkohet me Shqipërinë. Formulimi i një qëndrimi të tillë, siç thoshte Hajdar Dushi, mbështetej në vetë deklaratat e PKJ-së dhe të KANÇ-it të Jugosllavisë, në të cilat njihej parimi i vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje, parim bazë ky i Kartës së Atlantikut, i shpallur solemnisht nga aleatët e koalicionit antifashist. Më poshtë në rezolutë theksohej se Lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit fashist është e vetmja rrugë për ta fituar lirinë, në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar, do të kenë mundësi të  vetëvendosë me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Garant për këtë është UNÇ i Jugosllavisë dhe UNÇSH i Shqipërisë, me të cilën është ngushtësisht e lidhur. Përveç këtyre, për këtë garantojnë aleatët tanë të mëdhenj, Bashkimi Sovjetik, Anglia e Amerika (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit). Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është një anë, e cila popullohet në pjesën më të madhe nga popullsia shqiptare, e cila, si gjithmonë, dëshiron edhe sot të bashkohet me Shqipërinë. Prandaj, e ndiejmë për detyrë t’a vëmë në dukje rrugën e vërtet në të cilën duhet të ecë populli shqiptar për të realizuar aspiratat e veta. Rruga e vetme për t’u bashkuar me Shqipërinë, për shqiptarët e Kosovës dhe të Rrafshi i Dukagjinit, është lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë.

Disa mendime e vlerësime për Konferencën e Bujanit

Në vitin 1946, Josip Broz Tito ka deklaruar për agjencinë amerikane “Associated Press” se Kosova dhe territore të tjera shqiptare do t’i kthehen Shqipërisë. Udhëheqësi i ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito i ka premtuar Enver Hoxhës, në vitin 1946, se do t’i kthente Kosovën dhe territore të tjera shqiptare që ndodheshin në bashkimin jugosllav.

Gazeta serbe Pravda shkruan se Tito në vitin 1946 për pak sa nuk i ka “dhuruar” Hoxhës Kosovën dhe Metohinë, por edhe territore të tjera shqiptare. Pak e njohur është për botën, ku ish-udhëheqësi jugosllav kishte thënë hapur se: Kosova dhe territore të tjera me shumicë shqiptare do t’i kthehen Shqipërisë, transmeton Shekulli shkrimin e gazetës serbe.

“Nëse komunistët vijnë në pushtet në Shqipëri, ajo (Kosova) mund të jetë nën juridiksionin e Tiranës”, ka thënë atëbotë udhëheqësi jugosllav për “Associated Press”. “Kreu i shtetit shqiptar, Enver Hoxha gjithmonë ka thënë se marshall Tito i ka premtuar në fund të qershorit të vitit 1946, se Kosova dhe territore të tjera me shumicë shqiptare do të jenë pjesë e Shqipërisë. Megjithatë, këtyre deklaratave nuk u është dhënë rëndësi pasi marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit kanë qenë gjithnjë të tensionuara”, shkruan më tej gazeta serbe.

Edvard Kardel, me rastin e vizitës së tij në Moskë i kishte thënë Stalinit se Kosova do t’i jepet Shqipërisë, me luftën e tyre kundër okupatorit dhe shërbëtorëve të tij.

Në punimet Konferencës së Bujanit mori pjesë edhe përfaqësuesi i misionit anglez, major Baily, i cili kishte falënderuar  për ftesën. Ai kishte thënë: Kam pasur kontakte me shumë njerëz me botëkuptime të ndryshme politike. Lëvizja Antifashiste është e vetmja lëvizje që lufton kundër armikut të përbashkët-fashizmit.

Shaban Demaliaj – Komandant Haxhia, mbrojti me vendosmëri vendimet e Konferencës së Bujanit. Për shkak të qëndrimit pro Konferencës më vonë  u goditën dhe u eliminuan edhe shokët e tij të ngushtë, si:  Hajdar Dushi, Xhevdet Doda, Rifat Berisha, Qamil Brovina, Zekeria Rexha. Në studimin e tij, për Kosovën, shkruar, më 11 shkurt 1949 ai thotë: “Në lidhje me aspiratën e shqiptarëve të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë dua të theksoj : Këtë aspiratë, dëshirë e ka në shpirt çdo shqiptar. Është dëshira më e madhe e tyre, dëshirë që vlon në zemrat e shpirtin e tyre. Nuk është një dëshirë që ka dalë pas Rezolucionit të Byrosë Informative, por ka qenë shumë kohë përpara, është sot e nesër… do ta ruajë çdo shqiptar në shpirt deri në vdekje. Bashkimin me Shqipërinë e quan si gjënë më të shtrenjtë dhe e pret me padurim. Ndonëse nuk mundet të flasë, të shprehet hapur nga frika, e ka në shpirt sot e përgjithmonë. Shumica e popullit shqiptar në Kosovë është i gatshëm të luftojë për t’u bashkuar me Shqipërinë”.

Fadil Hoxha në kujtimet e tij që u botuan, më 2010 thotë se Mbledhja përgatitore është mbajtur në fshatin Gri, në shtëpinë e Mal Sadikut… Deri në drekë i kam lexuar materialet, ndërsa pasdite kemi filluar të debatojmë për to, pastaj në darkë kam shkuar te kulla e Sali Manit. Ai thotë se  “në Konferencë kanë përshëndetur komandantët e batalioneve “Baram Curri” e “Perlat Rexhepi”, Shaban Haxhia e Sadik Bekteshi. Deri tani është thënë në të gjitha studimet se ka përshëndetur vetëm Sadik Bekteshi dhe është lënë në harresë, me qëllim Komandanti i batalionit “Bajram Curri”, Shaban Haxhia.

Ndër të parët që e priti si delegat Xhevdet Dodën ishte Shaban Haxhia. Xhevdet Doda i kujtonte me respekt nënat partizane të Malësisë së Gjakovës. Në kullën e Shaban Haxhisë, ku qëndroi për disa ditë, ai e quajti Nënë Havën, nënën e Shaban Haxhisë,  “ një grua burrneshë”, “burrë e shkuar burrave”.

Disa nga pjesëmarrësist e Konferencës së Bujanit u vranë gjatë dhe pas luftës. Nga nënshkruesit e Konferencës janë vrarë: Hajdar Dushi, Xhevdet Doda, Rifat Berisha, Tefik Çanga, Qamil Brovina, Xheladin Hana.

***

Konferenca e Bujanit dhe Rezoluta e saj u shfuqizua në gusht të vitit 1945 në Konferencën e Prizrenit, ku të pranishmit, kësaj radhe shumë komunistë serbë e malazez, me shumicë, votuan një rezolutë tjetër, e cila parashihte që Kosova të mbetej nën Serbi, ashtu sikur kishte qenë në Jugosllavinë e Versajës, meqë komunistët jugosllavë e kishin ruajtur tërësinë territoriale të jugosllavisë monarkike dhe u kishin mohuar shqiptarëve të drejtën për Vetëvendosje. /burimet: Radio Kosova e Lirë dhe JavaNews.al/ /©Kabllogrami/

 

Comments (0)
Add Comment