E frymëzuar nga fitorja e mbrëmshme e përfaqësueses A në udhëtim te Bullgaria, përfaqësuesja U-21 e Kosovës në futboll synon suksesin në ndeshjen e rradhës që e luan në shtëpi kundër Turqisë U-21, ndeshje e cila po vlerësohet shumë më e vështirë, por jo e pamundur që të arrihet deri te fitorja, shkruan Kabllogrami.
U-21 e Kosovës të enjten fitoi 4:0 ndaj Andorrës në Andorra la Vella, në ndeshjen e parë të eliminatoreve për Euro 2021. Tani të përzgjedhurit e Rafet Prekazit luajnë në shtëpi ndaj Turqisë. Ndeshja Kosovë – Turqi zhvillohet të martën (sot) nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Turqia të premten u ndal në barazim 2:2 nga Shqipëria në Stamboll, ndërsa ndaj Shqipërisë kishte fituar 2:1 në Elbasan në muajin mars.
Ndërkohë, lojtarët e U-21 të Kosovës me fitoren e thellë në Andorrë vazhduan me paraqitje të mira. Në eliminatoret e kaluara, Kosova U-21 është vlerësuar për paraqitjet dhe për pikët e fituara në një grup shumë të fortë. Tash për Shpresat po luan një gjeneratë thuajse plotësisht e re por shumë e talentuar dhe Prekazi ka besim te lojtarët e përzgjedhur. /©Kabllogrami/