13 persona të vdekur dhe dhjetra të lënduar, nga rrokullisja e një autobusi në autostradën Shkup – Tetovë

Shtatë persona kanë vdekur në vendin e ngjarjes, derisa gjashtë të tjerë pasi që janë bartur në Qendrën Klinike në Shkup. Udhëtarët e lënduar po vazhdojnë të trajtohen në emergjencë dhe gjendja e tyre është e rëndë.

Sipas kryetarit të Gostivarit, Arben Taravari, të gjithë pasagjerët, 35 gjithsej, janë nga komuna e Gostivarit.

Në vend të ngjarjes ka dalë edhe Prokuroria Publike, e cila ka thënë se hetimet do t’i vazhdojë të enjten.

“Sipas informacioneve të para nga hetimi, aksidenti ka ndodhur pasdite, kur autobusi i kompanisë ‘Durmo Turs’, me targa të Gostivarit, ka kaluar mburojën e hekurt në anën e kundërt të autostradës, më pas ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur në afërsi të fshatit Llaskarcë. Në drejtim të vërtetimit të aksidentit, Prokurori Publik do të lëshojë urdhër për obduksion të personave të vdekur, si dhe kontroll të jashtëzakonshëm teknik të makinës. Shoferi i autobusit është hospitalizuar, ndërsa, nga ana e Prokurorit Publik, është lëshuar urdhër për analizë të gjakut dhe urinës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë, raporton KTV.

Mediat në Maqedoni raportojnë se aksidenti ka ndodhur si shkak i humbjes së kontrollit nga shoferi i autobusit. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:00.

Për rastin ka reaguar edhe kryeministri, Zoran Zaev, i cili tha se dhimbja është e madhe.

“Po mobilizojmë të gjitha forcat dhe kapacitetet për t’i ndihmuar të gjithë të tjerët që janë në rrezik për jetë, në mënyrë që sa më shpejt të kthehen te të dashurit e tyre”, ka shkruar Zaev. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment