Ambasadori Britanik: Formimi i ushtrisë, e drejtë e Kosovës

Në një bashkё bisedim online me qytetarët e Kosovës përmes rrjetit social Facebook,  Ambasadori britanik në Kosovё ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është pro krijimit të forcës së armatosur, bёn tё ditur Kabllogrami

“Mbretëria e Bashkuar beson se është e drejtë e Kosovës të krijojë forcat e saj të armatosura. Ne vazhdojmë të inkurajojmë Kosovën të sillet me përgjegjësi dhe me transparencë, dhe në konsultim me aleatët e NATO, dhe të respektojë angazhimin e saj ndaj KFOR-it, përfshirë edhe shkëmbimin e letrave të viti 2012-2013”, ka thënë O’Connell kur është pyetur nga një qytetar i Kosovës rreth mbështetjes që Britania mund t’i japë ose jo Ushtrisë së Kosovës, transmeton Koha.net.

Tutje, O’Connell është pyetur edhe në lidhje me mbështetjen që mund t’i japë Britania ushtrisë së Kosovës, specifikisht në mjete ushtarake.

“Mbretëria e Bashkuar ka përkrahur Forcën e Armatosur të Kosovës dhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës ndër vite. Ne kemi pasur fokus të veçantë në trajnimin e oficerëve dhe nën-oficerëve, të cilët do të jenë bërthama e kësaj force në të ardhmen”, u shpreh diplomati britanik.

“Britania ka punuar edhe në një sërë fushash tjera, të cilat mendon se janë me rëndësi jetike në zhvillimin e Kosovës, si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, kundër nepotizmit, zhvillimi ekonomik, kultura demokratike, dhe me çështjet e trashëguara nga e kaluara, e shumë e shumë çështje tjera” ka thёnё ndёr tё tjera Ambasadori Britanik nё Kosovё. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë