Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka paralajmëruar protesta masive kundër shkëmbimit të territorit të vendit me Serbinë. Ai, ndërsa ka zënë në gojë protestën masive të 29 shtatorit të vitit të kaluar, ka thënë se ajo do të përsëritet në rast se cenohet territori i Kosovës, përcjell Kabllogrami.
“Presidenti Thaçi me njerëzit e tij po këmbëngulin në pazaret me territor, le ta dinë se nëse përpiqen të na vendosin para aktit të kryer me ndonjë marrëveshje që prek territorin e Kosovës, protesta jo vetëm që do të përsëritet, por do të jetë edhe më e madhe”, ka thënë Kurti.
I pari i Vetëvendosjes këto komente i bëri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, të mbajtur sot, ku ka kritikuar edhe qeverisjen e Ramush Haradinajt.
Duke përmendur grevën e mësimdhënësve dhe privatizimin e Telekomit, ai ka thënë se qeverisja aktuale vetëm është duke e keqësuar gjendjen ekonomike e sociale në Kosovë.
Por, e tërë kjo situatë, në të cilën ndodhet vendi, sipas Albinit, do të ndryshojë me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet, e cila po rritet vazhdimisht dhe nëse vazhdon ky trend, LVV-ja do të jetë partia më e madhe në vend. /©Kabllogrami/