Albin Kurti takohet me ambasadorin Kosnett, i thotë se taksa s’duhet të hiqet
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe nënkryetari i kësaj partie, Besnik Bislimi sot kanë zhvilluar një takim me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett. Sipas një njoftimi të LVV-së, Albin Kurti ia ka treguar ambasadorit amerikan arsyet pse sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk duhet të heq dorë nga vendimi për taksën, përcjell Kabllogrami.
Veç kësaj, Albini dhe Besniku kanë biseduar me ambasadoorin amerikan edhe për qëndrimet e partisë së tyre për dialogun, platformën dhe ekipin negociator.
“Kryetari Kurti e njoftoi më gjerësisht ambasadorin Kosnett për qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në raport me dialogun; fazat që duhen përcjellë me synim ndërtimin e një platforme dhe ekipi negociator që do të garantonte një përfaqësim serioz në dialog; për arsyet se pse qeveria nuk duhet të heqë dorë nga tarifa doganore; por edhe për vizionin e VETËVENDOSJE!-s rreth vendosjes së sundimit të ligjit e luftimit të korrupsionit, prioritizimin e gjenerimit të punësimit si synim kyç makroekonomik si dhe reformimin e sistemit arsimor dhe atij shëndetësor si burim me rëndësi për mbështetjen e rritjes ekonomike të Kosovës”(sic), thuhet në njoftimin e VV-së.
Njoftimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje:
Sot, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti dhe nënkryetari, Besnik Bislimi, patën një takim në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ku u pritën nga ambasadori, z. Philip S. Kosnett bashkë me zyrtaren politike dhe diplomaten znj. Emma Lomax. Takimi kaloi në një frymë shumë konstruktive dhe u diskutua për çështje që aktualisht dominojnë interesat nacionale të vendit. Ambasadori foli për rëndësinë që ka Kosova në politikën e jashtme të SHBA-së dhe për nevojën që pala kosovare paralelisht të kultivojë raporte shumë të mira edhe me Bashkimin Evropian, anëtarësimi në të cilën përbën aspiratën kryesore të Kosovës. Poashtu u shkëmbyen edhe qëndrimet e dy palëve për dialogun dhe tarifën doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për dëmet që po i shkaktohen vendit nga nepotizmi dhe korrupsioni në sektorin publik dhe për domosdoshmërinë e reformimit të administratës publike në Kosovë.
Kryetari Kurti e njoftoi më gjerësisht ambasadorin Kosnett për qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në raport me dialogun; fazat që duhen përcjellë me synim ndërtimin e një platforme dhe ekipi negociator që do të garantonte një përfaqësim serioz në dialog; për arsyet se pse qeveria nuk duhet të heqë dorë nga tarifa doganore; por edhe për vizionin e VETËVENDOSJE!-s rreth vendosjes së sundimit të ligjit e luftimit të korrupsionit, prioritizimin e gjenerimit të punësimit si synim kyç makroekonomik si dhe reformimin e sistemit arsimor dhe atij shëndetësor si burim me rëndësi për mbështetjen e rritjes ekonomike të Kosovës. Në veçanti u potencua roli i diasporës sonë e cila me kapitalin human dhe financiar të akumular në Evropë dhe Amerikë mund të shndërrohet në një katalizator të fuqishëm të zhvillimit ekonomik në vend.
Të dy palët u dakorduan mbi nevojën e kultivimit të marrëdhënieve të rregullta si mekanizëm i rëndësishëm për avancimin e interesave të përbashkëta, përfundon njoftimi i LVV-së. /©Kabllogrami/