Agim Veliu kritikon punësimet partiake, harron se në qeverisjen e LDK-së punësoi djalin dhe renë
Ata që e nisën dhe ia mësuan ‘yrnekun’ e nepotizmit PDK-së e AAK-së, pra punësimeve familjare e partiake duke abuzuar me pushtetin që nga viti 2001, pra bëhet fjalë për LDK-në, sot kanë nisur të ankohen dhe të kritikojnë punësimet partiake të PDK-së, AAK-së e Nismës, që sipas ‘yrnekut’ të LDK-së, sot po abuzojnë rëndë me pushtetin, duke e shkretuar dhe shkatërruar vendin.
Kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu në përvjetorin e 29-të të themelimit të LDK-së në Podujevë ka përmendur punësimet partiake që sipas tij, po bëhen nga administrata shtetërore.
Ai ka “shitur moral” me pallavrat e tij, duke thënë se LDK është e vetmja parti e cila e ngritë Kosovën në një vend normal ku sipas tij, nuk duhesh të kesh dajë kryeministrin për të gjetur një vend pune. Këtu vjen në shprehje ajo fjala e popullit “Kur i përqeshuri të përqesh”.
“LDK është forca e vetme që mund ta ngritë Kosovën në një shtet normal ekonomikisht të zhvilluar, me shëndetësi e arsim cilësor. Ta bëjmë Kosovën vend normal, kur nuk duhet ta kesh kryeministrin dajë për të gjetur një vend pune në administratë shtetërore a ndërmarrje publike. Kosova ka nevojë për përtërije jo vetëm të figurave politike, por edhe konceptesh politike”, ka thënë ai.
Përderisa, Veliu thotë se nuk duhet të kesh dajë kryeministrin për të gjetur vend pune në sektorin publik, ai si duket ka harruar se ka dy persona të familjes të punësuar në poste publike më kohën sa qeveriste LDK.
Bëhet fjalë për nusen e djalit dhe djalin e tij, të cilët kanë dy pozita mjaft të mira në sektorin publik, transmeton Indeksonline.
Shkumbin Veliu, djali i Agimit ishte ‘rehatuar’ në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përkatësisht në pozitën e zyrtarit të lartë në Divizionin për Hartimin dhe Harmonizimin e Legjislacionit.
Ai në këtë pozitë u sistemua kur LDK-ja e udhëheqte shtetin, përkatësisht në kohën kur Isa Mustafa drejtonte Qeverinë dhe LDK-ja këtë ministri.
Pos djalit, Agim Veliu kishte arritur të punësoj edhe nusen e djalit, Metije Jashari, e cila mban mbiemrin e vajzërisë.
Ajo ishte rehatuar në PTK, të cilën Agim Veliu po e kritikon për punësime partiake.
Reja e Veliut ishte punësuar në bordin e drejtorëve në vitin 2015 në kohën e udhëheqjes së LDK-së. Të mos flasim edhe për punësimet familjare e partiake të militantëve që kanë uzurpuar vendet e punës pa kurrëfarë merite nëpër pushtetet lokale ku qeverisë LDK-ja. /©Kabllogrami/