Kosova duhet të zgjedhë mes çmimit që duhet të paguajë në këmbim të njohjes nga Serbia ose të mbetet në “status quo”, është porosia që e kanë dhënë ndërkombëtarët, sipas aktorëve të përfshirë në dialogun me Serbinë.
Ata kanë shpalosur udhëzimet që u janë dhënë prej ndërkombëtarëve, gjatë një tryeze të përbashkët ku prezentë kanë qenë presidenti Thaçi, përfaqësues të delegacionit shtetëror dhe liderë opozitarë.
Edhe aty janë konfirmuar dallimet mes liderëve sa i përket rrugës që duhet ndjekur për pajtim me Serbinë. Korrigjimi i kufijve, shkëmbimi, Asociacioni/Bashkësia e Komunave Serbe dhe mbetja në “status quo” kanë qenë opsionet e diskutuara në konferencën “Zëri i Popullit rreth finales së madhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, organizuar nga instituti “Ridea”, shkruan sot Koha Ditore.
Presidenti Thaçi ka dramatizuar sërish situatën duke thënë se në mungesë të marrëveshjes me Serbinë do të destabilizohet rajoni.
Duke marrë shkas nga rezultatet e një ankete, për të cilën pjesa tjetër ngriti dyshime, Thaçi sërish ka promovuar idenë e korrigjimit të kufijve dhe synimin për t’ia bashkuar Kosovës – Luginën e Preshevës, Medvegjën dhe Bujanocin. Por sërish ka refuzuar të tregojë se cili është çmimi që do të paguante Kosova në këmbim të zgjerimit të territorit. /©Kabllogrami/