A ka të drejtë Presidenti t’i caktojë afat LVV’së për nominimin e Kryeministrit?

Në raundin e dytë ekziston një diskrecion që Presidenti duhet ta realizojë brenda kritereve mbizotëruese, gjithnjë duke respektuar vullnetin e shumicës së votuesve të Kosovës, e jo si t’i teket atij.

Afati i përcaktuar nga presidenti Hashim Thaçi ndaj Albin Kurtit që 48 orë të nominojë kandidatin për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, po konsiderohet shkelje parimeve bazë të së drejtës dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë në një prononcim për koha.net, se Thaçi s’mund të caktojë afate për nominim dhe s’ka të drejtë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në rast se Kurti nuk e respekton këtë afat.

“Presidenti i Republikës nuk mund të caktojë afate sepse procesi i formimit të institucioneve është një proces politik që bazohet në Kushtetutë. Presidenti duhet t’i përmbahet Kushtetutës, e cila në asnjë interpretim nuk i jep të drejtë Presidentit për vënie të afateve ultimative, kurse forcat politike kujdesen për formimin e vullnetit politik të qytetarit të Kosovës”, ka thënë ai.

Ai thotë se Kushtetuta dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin VLAN e kanë bërë të qartë që herën e parë se Presidenti asnjë diskrecion nuk ka në çështjen e propozimit të mandatarit, kurse në të dytën raund ekziston një diskrecion që duhet të realizohet brenda kritereve mbizotëruese, gjithnjë duke respektuar vullnetin e shumicës së votuesve të Kosovës.

Sipas tij, ai duhet të pres dhe t’i lë të qetë forcat politike për të formuar vullnetin e ri të votuesit kosovar, në pajtim me Kushtetutën dhe sqarimet e dhëna në rastin VLAN. “Në Gjykatë Kushtetuese mund të shkohet vetëm nëse ekziston një dekret i Presidentit të Republikës për emërim arbitrar të mandatarit pa propozimin e partisë fituese, i cili dekret më pastaj do të mund të sfidohej në Gjykatë Kushtetuese nga palët e autorizuara (Qeveria, Kuvendi, Avokati i Popullit). Nuk ka mënyrë tjetër për ta dërguar çështjen në Gjykatë Kushtetuese nga Presidenti dhe nga askush. Çdo caktim i mandatarit pa propozim të partisë fituese është arbitraritet i kulluar”, thuhet në përgjigjen e Hasanit.

©Kabllogrami

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë