– Nga Joseph S. Nye Jr
Termi “lajm i rremë” është shndërruar një epitet që presidenti i SHBA-së Donald Trump i vendos çdo historie të pafavorshme. Por, është gjithashtu një term analitik që përshkruan dezinformimin e qëllimshëm të paraqitur në formën e një raporti konvencional lajmesh.
Problemi nuk është tërësisht i ri.
Në vitin 1925, “Harper’s” publikoi një artikull në lidhje me rreziqet e “lajmit të rremë”. Por sot, dy të tretat e të rriturve amerikanë i marrin disa nga lajmet e tyre nga mediat sociale që mbështetet në një model biznesi që mbështetet te manipulimi i jashtëm dhe ku algoritmet mund të luhen lehtësisht për qëllime fitimi apo dashakeqe.
Qoftë amatore, kriminale apo qeveritare, shumë organizata – si vendase ashtu edhe të huaja – janë të afta për të ndryshuar mënyrën sesi platformat e teknologjisë analizojnë informacionin. Për t’ia njohur meritat Rusisë, ajo ishte një nga qeveritë e para që kuptoi se si të shfrytëzonin mediat sociale dhe për të përdorur vetë kompanitë amerikane kundër saj.
Të trullosur me një volum të madh informacioni të disponueshëm online, njerëzit e kanë të vështirë të dinë se ku të fokusohen. Vëmendja, në vend të informacionit, bëhet burim i rrallë për të kapur. Të dhënat e mëdha dhe inteligjenca artificiale lejojnë mikro-targetimin e komunikimit në mënyrë që informacioni që marrin njerëzit të limitohet në një “flluskë filtri” të të njëjtit mendim.
Shërbimet “e lira” të ofruara nga mediat sociale bazohen në një model përfitimit në të cilin informacioni dhe vëmendja e përdoruesve janë në të vërtetë produktet, të cilat i shiten reklamuesit. Algoritmet janë të dizajnuara të mësojnë ato që i mban përdoruesit të angazhuar në mënyrë që t’u shërbejnë më shumë reklamave dhe të prodhojnë më shumë të ardhura.
Emocionet siç është zemërimi nxisin angazhim dhe lajmi që është i pazakontë, por i rremë, është vërtetuar se përfshin më shumë shikues sesa lajmet e sakta. Një studim zbuloi se të tilla gënjeshtra në Twitter kishin gjasa të ripostoheshin n 70 për qind më shumë sesa lajmet e sakta. Po ashtu, një studim i demonstratave në Gjermani më herët këtë vit gjeti se algoritmi i YouTube i drejtonte sistematikisht përdoruesit drejt përmbajtjes ekstremiste, sepse ishte pikërisht aty ku “klikimet” dhe të ardhurat ishin më të mëdha. Kontrollimi i fakteve nga mediat konvencionale të lajmeve shpesh nuk është në gjendje të mbajë ritmin dhe ndonjëherë madhe mund të jetë edhe kundërproduktiv duke tërhequr më shumë vëmendje ndaj gënjeshtrës.
Nga natyra e tij, modeli i përfitimit i mediave sociale, mund të armatoset nga shtetet dhe aktorët jo-shtetërorë. Së fundmi, Facebook është vënë nën kritika të ashpra për rekordin e vet negativ në mbrojtjen e privatësisë së përdoruesve. Drejtori ekzekutiv, Mark Zuckerberg, pranoi se në vitin 2016, Facebook nuk ishte “i përgatitur për operacionet e koordinuara të informacionit me të cilat ne përballemi rregullisht”. Megjithatë, kompania kishte “mësuar shumë prej asaj kohe dhe ka zhvilluar sisteme të sofistikuara që kombinojnë teknologjinë dhe njerëzit për të parandaluar ndërhyrjen në shërbimet tona”.
Përpjekje të tilla përfshijnë programe të automatizuara për të gjetur dhe zhdukur llogaritë e rreme; shfaqim më pak sesa në të kaluarën faqe në Facebook që përhapin dezinformim; publikimin e një raporti transparence mbi numrin e llogarive të rreme që hiqen; verifikimin e kombësisë së atyre që vendosin reklama politike; punësimin e më shumë se 10 mijë njerëzve shtesë për të punuar mbi sigurinë e platformës dhe përmirësimin e koordinimit me organet e zbatimit të ligjit dhe kompanitë e tjera për të trajtuar aktivitetin e dyshimtë. Por problemi nuk është zgjidhur.
Një garë armësh do të vazhdojë midis kompanive të mediave sociale dhe shteteve dhe aktorëve jo-shtetërorë që investojnë për të shfrytëzuar sistemet e tyre. Zgjidhjet teknologjike si inteligjenca artificiale nuk përbëjnë një formulë magjike. Për shkak se shpesh është më sensacional sesa fyes, lajmi i rremë udhëton më larg dhe më shpejt sesa ai i vërteti. Informacionet e rreme në Twitter ripostohen nga shumë më tepër njerëz dhe shumë më shpejt sesa informacionet e vërteta dhe përsëritja e tij, edhe në një kontekst të kontrollit të fakteve, mund të rrisë gjasat që një individ ta pranojë atë si të vërtetë.
Gjatë përgatitjeve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, Agjencia e Kërkimeve në Internet në Shën Petersburg të Rusisë kaloi më shumë se 1 vit duke hapur dhjetëra llogari në mediat sociale duke i maskuar ato si faqe lokale lajmesh në Shtetet e Bashkuara. Ndonjëherë raportet favorizonin një kandidat, por shpesh ato ishin projektuar thjesht për të dhënë një përshtypje kaosi dhe neverie ndaj demokracisë dhe për të ndrydhur pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.
Kur Kongresi miratoi Ligjin për Kontrollin e Pornografisë në Internet në vitin 1996, kompanitë e mediave sociale që sapo ishin krijuar u trajtuan si ofruese neutrale të telekomunikacioneve që u mundësonin klientëve të ndërvepronin me njëri-tjetrin. Por ky model është tashmë i vjetruar. Nën presionin politik, kompanitë e mëdha kanë filluar t’i mbajnë nën kontroll me më shumë kujdes rrjetet e tyre dhe të fshijnë gënjeshtrat, përfshirë ato që propagandohen nga blogjet.
Por vendosja e kufizimeve ndaj fjalës së lirë, e mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ngre probleme të vështira praktike. Ndërsa makineritë dhe aktorët jo-amerikanë nuk kanë të drejtat e Amendamentit të Parë (dhe kompanitë private nuk kanë lidhje me Amendamentin e Parë), grupet e brendshme dhe individët kanë dhe ata mund të shërbejnë si ndërmjetës për influencuesit e huaj.
Gjithsesi, dëmi i bërë nga aktorët e huaj mund të jetë më i vogël sesa dëmi që ne i shkaktojmë vetes tonë. Problemi i lajmit të rremë dhe impersonifikimit të huaj të burimeve të lajmeve të vërteta, është i vështirë të zgjidhet pasi përfshin ndërhyrje në vlerat tona të rëndësishme. Kompanitë e mediave sociale, të shqetësuara se mund të vihen nën sulm për censurë, dëshirojnë të shmangin rregullimin nga ligjvënësit që i kritikojnë ata si për mëkatet e veprimit dhe mosveprimit.
Eksperienca nga zgjedhjet europiane sugjeron se gazetaria investigative dhe lajmërimi paraprak i publikut mund t’i ndihmojë votuesit të krijojnë imunitet ndaj fushatave dezinformuese. Por beteja me lajmin e rremë ka gjasa të mbetet si loja e maces me miun midis ofruesve të tij dhe kompanive platformat e të cilave ata shfrytëzojnë. Ajo do të bëhet pjesë e debateve të zgjedhjeve kudo. Mbikëqyrja konstante do të jetë kostoja e mbrojtjes së demokracive tona. /Project Syndicate/BIRN/