Ka mbetur më pak se një muaj deri në mbajtjen e Kuvendit të Përgjithshëm të INTERPOL-it në Kili të Amerikës Latine, ku do të paraqitet sërish kërkesa e Republikës së Kosovës për anëtarësim. Mirëpo, Serbia sërish është vënë në ofanzivë diplomatike për të penguar synimin e Kosovës për anëtarësimin e saj, bën të ditur gazeta online Kabllogrami.
Mbledhja do të mbahet mes 15 deri 18 tetor të këtij viti ku do të merret një vendim nëse Kosova në tentimin e katërt do të bëhet pjesë e organizatës ndërkombëtare të policisë. Tri përpjekjet e kaluara nuk kanë qenë të suksesshme, e sidomos ai i fundit në nëntor të vitit 2018 që ishte tepër poshtëruese për Kosovën, e s’po flasim për lidershipin e saj të cilët ky poshtërim s’u bëri përshtypje fare, ngase siҫ po kuptohet tani, ata veҫse kanë lindur të poshtëruar për të na poshtëruar të gjithë ne qytetarët e Kosovës së bashku me shtetin tonë.
Strategjia
Derisa afrohet data e votimit, qeveria e Kosovës dhe Beogradi vazhdojnë aktivitetet diplomatike në mënyrë që t’ua prezantojnë argumentet e tyre shteteve anëtare. Argumentet e Serbisë mbeten të pandryshuara, shkruan “Blic”, transmeton lajmi.net.
“Pranimi i Kosovës në INTERPOL do të paraqet shkelje e mbi të gjitha statusit të organizatës. Në statut është e qartë se një shtet që nuk është anëtar në Kombet e Bashkuara, e as nuk merr pjesë në punën e tyre në rolin e vëzhguesit, nuk mund të jetë anëtare”, thuhet në qëndrimin e Serbisë. Kjo strategji shprehet qartë edhe me deklaratën e Rezolutës 1244, shton “Blic”.
Përparësitë dhe përfitimet
Por, cilat do të jenë përparësitë dhe përfitimet e Kosovës në rast se arrijnë të bëhet anëtare e barabartë e INTERPOL-it?
Zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se anëtarësimi në INTERPOL do të ndikojë në aspektin pozitiv në shumë fusha, duke përfshirë në luftën kundër të gjitha llojeve të krimeve. Kjo, sipas tyre, do të ndihmonte dhe kontribuonte direkt në bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve që ndërlidhen me luftën ndaj krimit të brendshëm, rajonal dhe ndërkombëtar.
“Po ashtu, efekte pozitive do të ketë lidhja e data bazave të INTERPOL-it me kufijtë e Kosovës, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe institucioneve relevante, e që do të ndihmonte në bashkëpunimin dhe marrjen në kohë reale të informacioneve”, thuhet në një deklaratë të Policisë së Kosovës.
Gjithashtu, në deklaratë thuhet se “bashkëpunimi i ndërsjellë, teknologjia dhe trajnimet e mundshme, do të ndihmonin në përfitimin e njohurive shtesë pozitive”.
Debakli në Dubai
Gjendja këtë vit, sipas “Blic” është më pak dramatike se më 2018. Edhe këtë vit në stafin që merret me pengimin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL janë kryesues të Ministrisë së Jashtme, por edhe të Brendshme, përfshirë zyrën për Kosovën.
Debakli – sipas Blic – është i zakonshëm për Prishtinën. Kujtojmë, në mbledhjen e Dubait dy rrethe të votimeve nuk kanë qenë të mjaftueshme që delegacioni i Kosovës ta sigurojë anëtarësimin, 68 vota ishin pro, mirëpo plot 51 ishin kundër, transmeton lajmi.net.
Katër vendime të mëdha
Hapi i parë në kandidaturën e re të Kosovës në INTERPOL ishte votimi në Komitetin Ekzekutiv të INTERPOL-it ku ishte vendosur që të caktohet një raportues i cili do të merrej me kërkesën e Prishtinës, nëse duhet të konsiderohet ajo.
Raportues i këtij viti është përfaqësuesi i Angolës në INTERPOL. Angola nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës andaj kjo mund të ketë ndikim.
Raporti do të sillet para delegatëve më 14 tetor, një ditë para fillimit të mbledhjes, dhe do të vendosë nëse kërkesa e Kosovës do të jetë në rend të ditës. Madje, ka mundësi edhe të hidhet poshtë. Por, nëse kërkesa gjendet në rend të ditës, për të pritet të votohet më 17 tetor.
Çfarë do të bëjë Kili?
Rolin e paraqitjes në votim ose refuzimit të kërkesës do ta ketë edhe nikoqiri i Kuvendit të Përgjithshëm. Qëndrimi i Kilit, shtet që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, është ende i panjohur, transmeton lajmi.net.
Në fakt në një prej tentimeve të kaluara të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, në mbledhjen e përgjithshme në Kinë, përfaqësuesve të Prishtinës nuk u ishin aprovuar vizat, dhe në këtë mënyrë përpjekja e tyre kishte dështuar ende pa filluar, shkruan “Blic”. Mbetet të shihet nëse do të përsëritet një ngjarje e tillë./lajmi.net/
©Gazeta-Online-Kabllogrami.com