A do bëhet Haradinaj tok me LVV dhe LDK për shpërbërjen e Kuvendit?
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka deklaruar sot se si subjekt politik ende nuk kanë marr ftesë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për konsultime, teksa shprehu gatishmërinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që t’i bashkohet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për shpërbërje të Kuvendit të Kosovës.
Këto komente ai i bërë pas homazheve që bëri tek varrezat e dëshmorëve në Kamenicë.
“Ende s’kemi marrë ftesë nga Presidenti, si subjekt politik”, tha Haradinaj kur u pyet në lidhje me atë nëse kanë marrë ftesë nga presidenti Thaçi për bisedime pas situatës së krijuar me dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit.
Ndërkaq, Haradinaj foli edhe për mundësinë e shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, kur tha se AAK-ja është e gatshme t’i bashkohet LDK-së e VV-së në këtë çështje.
“Kjo është një ide e hershme edhe e jona dhe se kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, në këtë rast Ahmet Isufi, ka marrë udhëzimet edhe nga Këshilli Drejtues dhe Kryesia e partisë të Aleancës që t’i bashkohet një mocioni për shpërbërjen e Kuvendit”, tha ai, raporton ksp.
I pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se partia që udhëheq ai do shkojë e vetme në zgjedhje, duke lënë të hapur mundësinë për Nismën, PSD-në dhe AKR-në, transmeton koha.net.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shkon vetëm në zgjedhje, megjithatë ne kemi një respekt ta them ashtu, një afërsi me disa parti, kemi fol për Nismën, PSD-në, për AKR-në… jemi të hapur, por Aleanca shkon e vetme në zgjedhje”, u shpreh Haradinaj.
I pyetur rreth deklarimeve të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu e cili tha se Haradinaj e shkeli besimin e PDK-së, ai nuk i komentoi këto deklarata vetëm se shprehu respektin që ka ndaj deputetit Haxhiu.
Këto deklarata, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj i ka bërë sot pas nderimeve që bëri me rastin e 18-vjetorit të vdekjes së Rahim Beqirit-komandant Roki, te lapidari në fshatin Kopernicë të Kamenicës. /©Kabllogrami/