Mbrëmë u bënë plot 37 vjet, nga ajo natë e ftohtë dimri e 17 janarit të vitit 1982, kur u vranë mizorisht në pritë, veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare, vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.
Që nga ajo natë e trishtë për kombin shqiptar e 17 janarit ’82, nuk mund t’i harrojmë kurrë dhe i kujtojmë gjithmonë me pietet të lartë, veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare, vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, dhe Kadri Zeka, të vrarë nga shërbimi sekret i regjimit jugosllav më 17 janar 1982 në Shtutgart, të Gjermanisë. I përpiu errësira e djajve, për të jetuar prore në dritën e popullit.
Jusuf Gërvalla, ishte një intelektual i pashembullt i kohës së tij. Një njeri unifikues e iluminues që siç tregojnë ata që patën rastin ta njohin, të bënte për vete dhe të jepte argumente pa replikë kur elaboronte çështjen kombëtare dhe shtypjen e popullit shqiptar nën Jugosllavinë e atëhershme. Thuhet se kur e dëgjonin duke folur Jusufin, madje edhe të luhaturit dhe skeptikët nga rradhët e shqiptarëve në ish- Jugosllavi të cilët në një farë forme ishin akomoduar në “mirëqenien” jugosllave, ua hapte sytë duke i orientuar drejtë në rrugën pa zigzage të atdhedashurisë. Ishte edhe artist i rrallë me një krijimtari letrare e muzikore që edhe sot të emocionon e frymëzon dhe na e ndrit e nxit shpirtin e mendjen.
Jusuf Gërvalla duke qenë i detyruar të ikë nga vendlindja për shkak të përndjekjeve të okupatorit dhe të atyre që punonin për të, emigroi në Gjermani, ku edhe më me entuziazëm iu përkushtua veprimtarisë kombëtare, tani duke bërë tok mërgatën shqiptare nga ish-Jugosllavia, të cilët të shpërndarë e të përqarë ishin bërë pikë e pesë, ashtu siç donin shërbimet sekrete jugosllave.
Njerëz si Jusufi rrallë lindin, erudit e intelektual frymëzues që s’u trembet syri dhe pikërisht ky i dha një domethënie të re intelektualit shqiptar, që krijon e frymëzon, vepron e organizohet, drejt një vetëdijeje më të lartë shoqërore e kombëtare. Drejt një vetëdijeje që e përparon dhe e përafron një popull të robëruar me lirinë.
Ky profil intelektuali u futi frikën në palcë okupatorëve serbo-jugosllavë, andaj me patjetër duhej eliminuar. Fat i kobshëm për vëllaun e tij të ri, Bardhoshin dhe mikun e çështjes, Kadri Zekën që qëlluan me të kur hasën në djajt e errësirës në natën e 17 janarit 1982 në një lagje të Shtutgartit në Gjermani ku kishin gjetur strehim politik.
Vrasja e tyre kishte për qëllim ta godiste përpjekjen e popullit shqiptar për t’u organizuar, e për t’iu kundërvënë një Jugosllavie të dominuar nga Serbia pushtuese, që rëndonte mbi trungun e shqiptarëve të okupuar. Por, rënia e tyre, siç edhe do e dëshmojë koha, vetëm sa i përbashkoi shqiptarët edhe më shumë, vetëm sa i orientoi ata edhe më drejtë, dhe vetëm sa ua shpejtoi atyre luftën drejt lirisë.
Shembëlltyra e Jusufit me shokë që rrezatonin me vizionin unifikues, arritën t’i bashkojnë shqiptarët që po kërkonin lirinë, dhe kjo trembi regjimin, që nuk i donte shqiptarët të lirë.
Pra, rënia e tyre, mllefin e popullit e shndërroi në motivim. Duke pasur para syve si fanar, guximin e shembëlltyrën e Jusufit me shokë dhe duke pasur mbi kokë rrezet iluminuese të tyre – sikur rrezet e diellit që japin jetë e vullnet për të përparuar, likuidimi i tyre ishte tejet inkurajues për popullin duke i konsoliduar e përbashkuar shqiptarët edhe më shumë, duke i orientuar ata edhe më drejtë dhe duke i bërë edhe më të palëkundur në luftën drejt lirisë.
Jusuf e Bardhosh Gërvalla me Kadri Zekën, përulemi prore para veprës e shembëlltyrës tuaj. E përjetshme qoftë lavdia për ju. /©Kabllogrami/