10 plazhet më të bukura në Jugun e Shqipërisë

Kjo është periudha kur plazhet janë të mbushura plot me turistë të huaj dhe vendas në Shqipëri. Gjithmonë e më tepër njerëzit kërkojnë të lëvizin dhe të vizitojnë vende të ndryshme.

Që nga veriu e deri në jug, vendi ynë është i pasur me gjire fantastike, ku mund të shijosh natyrën e bukur e cila është e ndërthurur mes detit dhe malit.

Bregu i Jonit ofron një mjedis unik në zemër të Europës.

Në Shqipërinë e Jugut do të gjeni plazhet qiellore që ju nuk prisni.

Malet me pamje nga deti, natyra e paprekur dhe uji i kristaltë, jo rastësisht në vitet e fundit, për shkak të plazheve të saj, Shqipëria është bërë një nga destinacionet turistike më popullore, transmeton Dita.

Në bazë të shkrimeve që janë bërë në mediat e huaja, frekuentimit, natyrës, fotografive që janë shpërndarë, ne kemi zgjedhur 10 plazhet më të bukura të detit Jon. Listës mund t’i shtohen edhe shumë të tjerë, por këto janë disa, ndonëse mund të ketë edhe më të mira dhe më të bukura se këto që po prezentojmë, varësisht nga shija dhe përceptimi.

Në një rast tjetër do të shkruajmë edhe për plazhet e Veriut të Shqipërisë të cilat po ashtu janë unike për nga bukuritë që u ka dhuruar nëna natyrë. /©Kabllogrami/

1.Ksamili

Ksamili është cilësuar dhe si perla e Jonit dhe qëndron para ishullit të Korfuzit, pak kilometra nga kufiri grek. Në këtë plazh të bregdetit të Jonit ndodhen ishujt, të cilët mund t’i eksplorosh me not ose me një udhëtim me varkë, duke lënë prapa Parkun Kombëtar të Butrintit, një nga parqet më të bukura arkeologjike të Ballkanit, sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

2.Karaburuni

Pamja e Karaburunit është spektakolare, sepse ofron kaq shumë qoshe të fshehura. Pranë bregut që rrethon Vlorën, qyteti i tretë i vendit, gjejmë Parkun Detar Kombëtar. Mos e humbisni gjirin e Gramës, të fshehur midis maleve shkëmbore. Në Karaburun, uji është kristal dhe ka shumë limane të veçuar me guralecë të bardhë.

3.Porto Palermo

Porto Palermo është një gadishull i vogël në të cilin ndodhet kalaja e ndërtuar nga Ali Pasha Tepelena, politikani dhe guvernatori i shumë territoreve europiane të Perandorisë Osmane, në nder të gruas së tij, gjatë shekullit të 19-të. Ky plazh shqiptar është vendi ideal për ata që e duan natyrën e egër. Sigurisht që meriton një ndalesë për shkak të detit, por edhe të kështjellës që mund të vizitohet.

4. Dhërmiu

Një nga plazhet më të njohura dhe më të mbushura me njerëz në bregun shqiptar të Jonit është ai i Dhërmiut, i frekuentuar nga vendasit dhe turistët e tërhequr nga ujërat e mrekullueshme dhe të pastra blu. Gjatë udhëtimit do të hasni shumë bunkerë të shpërndarë të periudhës komuniste.

5.Borshi

Borshi është plazhi më i gjatë në brigjet e Jonit, me tre kilometra vijë bregdetare është vendi ideal për ata që duan të pushojnë. Plazhi është i rrethuar nga natyra e lulëzuar e përbërë kryesisht nga pemët e ullirit dhe agrumet. Ata që e duan ecjen mund ta bëjnë këtë në bregdet, i cili ofron dhe një zbulim të artit bizantin, ku mund të vizitohet fshati me të njëjtin emër dhe kështjellën e tij.

6.Himara

Deti blu dhe i pastër është karakteristika e plazhit të Himarës, i cili në vitet e fundit është bërë një vend shumë turistik. Këtu do të gjeni kryesisht gjire të vogla dhe të rrumbullakëta me një pamje graduale në det. Gjithashtu ka edhe shumë objekte akomodimi. Perlë e vërtetë është qyteti antik në majë të kodrës, ku mund të admirohen rrënojat e kështjellës së Himarës.

7. Palasa

Palasa ndodhet pas LLogorasë, në jug të Vlorës dhe është një shtrirje e bukur e bregdetit të vetmuar, ku vitet e fundit po bëhen shumë ndërtime. Për momentin Palasa është ende një për ata që duan të largohen nga turizmi masiv dhe që preferojnë kontaktin me natyrën.

8.Qeparoi

Në Qeparo, plazhi me guralecë, që në det ka një shtresë rëre, është një vend relaksues, por gjithashtu i pasur me histori. Duke shëtitur në këmbë mbërrijmë në qytetin e vjetër mes rrugicave të ngushta dhe shtëpive me gurë. Sigurisht, për të arritur atje duhet të bëni një ecje ku përballë do ju shfaqet Jali, një gji i vogël me një bregdet të mbushur nga guralecë të bardhë. I rrethuar nga bare dhe restorante, është një plazh shumë turistik dhe i mbushur me njerëz.

9.Gjipeja

Gjipeja është një nga plazhet më të egra në Shqipëri, në të cilin mund të arrini me një shëtitje prej 30 minutash nën diell dhe nën gjurmët e kuqe të tokës me një distancë prej 1.5 km që zbret poshtë maleve. Uji i pastër në ngjyrë smeraldi, Gjipeja është e vendosur mes shkëmbinjve dhe gjatë ditës, në sajë të dritës së diellit, ajo ndryshon ngjyrën.

10. Vunoi

Plazhi i Vunoit ndodhet midis maleve të brigjeve të Gjipesë dhe Jalit dhe krenohet me një fshat të bukur me shtëpi prej guri. Këtu duket se moti është ndalur, natyra është e pazbuluar dhe zona nuk është e mbushur me njerëz, kështu që ju nuk do të keni rrezik të mos dini se ku do hapni çadrën tuaj të diellit. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë