Ҫertifikohet gjenerata e parë e FSK-së me mandatin e ri ushtarak
Rekrutët e rinj e kanë bërë betimin të premten, në një ceremoni të organizuar në Kazermën ‘Adem Jashari’ në Prishtinë. Gjithsej 337 pjesëtarë, në mesin e tyre 52 femra, 22 prej komuniteteve pakicë e kanë përfunduar me sukses trajnimin bazik 9 javor, dhe i janë bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kjo është gjenerata e parë e rekrutëve që i bashkohen FSK-së pas mandatimit me misionin e ri si ushtri e shtetit të Kosovës.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama ka kërkuar nga pjesëtarët e rinj që kontribuojnë në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së me mandatin e ri, si ushtri e Kosovës, raporton ksp.
Ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, tha se nuk ka detyrë më të ndershme se sa ti shërbesh vendit. Ndërsa i cilësoi me fat pjesëtarët e rinj të cilët i përkasin gjeneratës së parë që i bashkohen FSK-së me mandatin e ri ushtarak.
Ndërkaq, kryeparlamentari Kadri Veseli me këtë rast ka thënë se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm. Ai ka thënë sot në ceremoninë e sotme të certifikimit të rekrutëve të rinj të Ushtrisë së Kosovës, se shteti ynë, Kosova, nuk e kërcënon askënd por as nuk do të lejojë askënd të cenojë atë.
Ai mes tjerash tha se integriteti territorial (i Kosovës) dhe kufijtë janë të shenjtë, të paprekshëm sot dhe përgjithmonë. /©Kabllogrami/